Si të duam – Thich Nhat Hahn

“Të duash pa ditur se si duhet dashur, lëndon personin që do.”

Çfarë do të thotë “dashuri”?

Jemi munduar t’i japim përkufizime të ndryshme; e kemi parë nga pikëpamja psikologjike dhe e kemi paraqitur në korniza filozofike; madje kemi dhënë dhe formula matematikore për të arritur përkufizimin e duhur. E megjithatë, kushdo që e ka ndërmarrë këtë hap të madh e di që dashuria mbetet mister – ndoshta misteri i përvojës njerëzore.

Të mësosh ta përmbushësh këtë mister me gjithë qenien tënde është qëllimi i jetës.

Këtë ekspoloron murgu budist nga Vietnami, Thich Nhat Hahn (lindur më 11 tetor 1926) në Si të duam – një koleksion i vogël me fjalë të thjeshta mbi natyrën komplekse njerëzore.

Në përputhje me praktikën e përgjithshme të mësimeve të tij budiste, Nhat Hahn shpërndan doza qartësie, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, plot metafora për t’ju adresuar shqetësimeve thelbësore të shpirtit të njeriut.
Për të marrë mësimet e tij, duhet shkëputur nga patologjia perëndimore e cinizmit dhe nga mekanizmi ynë i metë i vetë-mbrojtjes, i cili hedh poshtë çdo gjë të sinqertë dhe naive.

Image result for thich nhat hanh
Thich Nhat Hahn

Në qendër të mësimeve të Nhat Hahn është ideja se “të kuptuarit është emri tjetër i dashurisë” – se për të dashur dikë tjetër duhen kuptuar më së miri vuajtjet e tij/saj.
(“Vuajtje” tingëllon shumë dramatike, por në Budizëm i referohet çdo burimi pakënaqësie – qoftë ajo fizike, psiko-emocionale ose shpirtërore.)
Të kuptuarit është ajo për të cilën kanë nevojë të gjithë – por edhe nëse ne e kuptojmë këtë në nivel teorik, ne zakonisht kapemi pas vogëlsirave dhe nuk jemi në gjendje të ofrojmë kuptimin që duhet. Ai e ilustron këtë mospërputhje në këtë mënyrë:

“Nëse hedh një grusht kripë në një gotë ujë, uji bëhet i papijshëm.
Por nëqoftëse e hedh kripën në lumë, njerëzit mund të vazhdojnë të mbushin ujë për të gatuar, pirë dhe larë.
Lumi është i madh dhe ka aftësinë për të marrë, përqafuar dhe transformuar.
Kur zemrat tona janë të vogla, të kuptuarit dhe dhembshuria jonë janë tejet të kufizuara, dhe ne vuajmë.
Ne nuk mund të pranojmë ose tolerojmë të metat e të tjerëve, prandaj iu kërkojmë të ndryshojnë.
Por kur zemrat tona zgjerohen, këto gjëra duket sikur nuk na lëndojnë më. Ne kemi më shumë pranim dhe dhimbshmëri karshi tyre dhe i pranojmë lehtësisht. Ne i pranojmë ashtu siç janë, ndaj kështu iu japim mundësinë për tu transformuar.”

Lind pyetja se si ne duhet të rrisim zemrat tona gjë e cila fillon me një angazhim për të kuptuar dhe dëshmuar vetë vuajtjet tona.

“Kur ne ushqejmë dhe mbështesim vetë lumturinë tonë, ne jemi duke ushqyer aftësinë tonë për të dashur.
Kjo është arsyeja pse të duash do të thotë të mësosh artin e ushqyerjes së lumturisë sonë. 

Të kuptosh vuajtjet e dikujt është dhurata më e mirë që ju mund t’i jepni personit në fjalë.
Të kuptuarit është emri tjetër i dashurisë. Nëse nuk kupton, nuk mund të duash.”

Dashuria është një ndërveprim dinamik dhe ne i formojmë modelet tona të të kuptuarit – dhe keqkuptuarit – herët në jetë, nga osmoza dhe imitimi sesa nga krijimi i vetëdijshëm.
Bazuar në zhvillimet psikologjike që Perëndimi di në lidhje mbi rolin e rezonancës pozitive në të mësuarit e dashurisë, Nhat Hahn shkruan:

“Nëse prindërit tanë nuk e duan dhe kuptojnë njëri – tjetrin, atëherë nga ta dimë ne se çfarë pamje ka dashuria? … Trashëgimia më e madhe që prindërit mund t’ju lënë fëmijëve është lumturia e tyre. Prindërit tanë mund të na lënë trashëgim parà, tokë, shtëpi, por ata mund të mos jenë të lumtur. Nëse kemi prindër të lumtur, kemi trashëguar gjënë më të vlefshme.” 

 Image result for happy parents drawing

Nhat Hahn thekson ndryshimin ndërmjet pëlqimit, i cili zëvendëson çdo kuptim të vërtetë të tjetrit me një fantazi që ai ose ajo mund të jetë për ne, dhe dashurisë së vërtetë:

“Shpesh, ne kemi pëlqime karshi personave të caktuar, jo sepse i duam dhe i kuptojmë vërtetë, por thjesht për të shpërqendruar veten nga vuajtjet tona. Kur ne mësojmë të duam dhe të kuptojmë vetveten dhe ndjejmë dhembshuri për të tjerët, vetëm atëherë mund të duam dhe të kuptojmë vërtetë një person.”

Nga ky kuptim jo i plotë i vetvetes lindin pëlqimet iluzioniste të cilat Nhat Hahn i përshkruan plot urtësi dhe zgjuarsi:

“Ndonjëherë ndihemi bosh; ne ndjejmë një boshllëk, një mungesë të diçkaje të madhe. Ne nuk e dimë arsyen; është shumë e paqartë, por ajo ndjenja e të qenit bosh përbrenda është shumë e fortë. Ne shpresojmë dhe presim për diçka shumë më të mirë, në mënyrë që të ndihemi më pak të vetmuar, më pak bosh.
Dëshira për të kuptuar veten dhe jetën është shumë e madhe. Është dhe një dëshirë tjetër e madhe që të duhemi dhe të duam. Ne jemi të gatshëm të duam dhe të duhemi. Është shumë e natyrshme. Por sepse ndihemi bosh, përpiqemi të gjejmë një objekt të dashurisë sonë. Ndonjëherë, ne nuk kemi pasur kohë për të kuptuar veten, por prapë ne kemi gjetur objektin e dashurisë sonë. Kur e kuptojmë se shpresat dhe pritshmëritë tona nuk mund të përmbushen nga ai person, ne vazhdojmë të ndihemi bosh. Duam të gjejmë diçka, por nuk dimë se çfarë të kërkojmë. Tek çdokush gjendet një dëshirë dhe pritje e vazhdueshme; thellë brenda vetes, presim që diçka më e mirë të ndodhë. Kjo është arsyeja se përse e kontrolloni email-in tuaj disa herë në ditë!” 

Image result for missing piece

Dashuria e vërtetë, argumenton ai, është e rrënjosur në katër elementë – mirësi, dhembshuri, gëzim dhe qetësi – të cilat nxitin dashurinë, “elementin e shenjtë”. I pari prej tyre trajton marrëdhënien dialoguese midis dhimbjes sonë dhe kapacitetit për të kuptuar plotësisht të dashurit tanë.

“Thelbi i mirësisë është të jesh në gjendje për të ofruar lumturi. Ti mund të jesh rrezja e diellit për dikë tjetër. Nuk mund të ofrosh lumturi derisa të jesh vetë i lumtur. Kështu që, ndërto një shtëpi brenda teje duke pranuar dhe duke dashur e shëruar veten. Mëso se si të menaxhosh vetëdijen, në një mënyrë të tillë që të krijosh momente gëzimi dhe lumturie për veten tënde. Vetëm atëherë mund të kesh diçka për t’i ofruar dikujt tjetër. 

[…]

Nëse ke aq mirëkuptim dhe dashuri, atëherë çdo moment – edhe nëse je duke përgatitur mëngjesin, duke i dhënë makinës apo ujitur kopshtin – mund të jetë një moment gëzimi. 

Kjo ndërlidhje e vetes dhe të tjerëve manifestohet në elementin e katërt, ose qetësia, fjala sanskritishtiane është “upeksha”, e cila përkthehet edhe si “përfshirje” dhe “mosdiskriminim”.

“Në një marrëdhënie të thellë, nuk ka më një kufi midis jush dhe personit tjetër. Ju jeni ata dhe ata janë ju. Dhimbja juaj është dhimbja tyre. Mirëkuptimi juaj për dhimbjen tuaj i bën të dashurit tuaj të vuajnë më pak. Dhimbja dhe lumturia nuk janë më çështje individuale. Çfarë iu ndodh të dashurve tuaj, iu ndodh dhe juve. Çfarë iu ndodh juve, iu ndodh dhe të dashurve tuaj. 

[…]

Në dashurinë e vërtetë nuk ka më ndarje dhe diskriminime. Lumturia e tyre është e juaja. Vuajtja e tyre është e juaja. Ju nuk mund të thoni dot më ‘Ky është problemi yt’.”

Ato që plotësojnë katër elementët bazë janë dhe besimi dhe respekti, njësi që masin reciprocitetin e dashurisë.

“Kur doni dikë, ju duhet të keni besim dhe siguri. Dashuria pa besim nuk është ende dashuri. Sigurisht që fillimisht, ti duhet të besosh dhe respektosh veten. Ju jeni pjesë e universit, ju jeni krijuar nga yjet. Kur ju shikoni të dashurit tuaj, shikoni se edhe ata janë krijuar nga yjet dhe mbartin përjetësinë brenda. Dashuria e vërtetë nuk mund të krijohet pa besim dhe respekt për veten dhe personin tjetër.”

Mekanizmi thelbësor për krijimin e një besimi dhe respekti të atillë është të dëgjuarit. Nhat Hahn e rikornizon në mënyrë poetike atë që e kemi dëgjuar shpesh prej gjyshërve, duke bërë që shprehja të regjistrohet menjëherë në shpirt e mendje:

“Të duash pa ditur se si duhet dashur, lëndon personin që do. Për të ditur se si duhet dashur dikush, ne duhet t’i kuptojmë ata. Për t’i kuptuar, ne duhet të dëgjojmë.

[…]

Kur duam dikë ne duhet t’i lehtësojmë dhe t’i ndihmojmë që ata të vuajnë më pak. Ky është art. Nëse nuk i kupton rrënjët e dhimbjes së tyre, ne nuk mund t’i ndihmojmë, ashtu siç një mjek nuk mund të na ndihmojë të shërohemi, nëse nuk e di shkakun e sëmundjes. 

[…]

Sa më shumë që kupton, aq më shumë do; sa më shumë të duash, aq më shumë kupton. Janë dy anët e një realiteti të vetëm. Mendja e dashurisë dhe mendja e të kuptuarit janë njësoj.”

Duke kujtuar aforizmën e paharrueshme të mësuesit Zen, D.T. Suzuki se “guaska e egos në të cilën jetojmë është gjëja e cila rritet më shpejt se çdo gjë tjetër”, Nhat Hahn konsideron se si nocioni egoist “unë” ndërpret rrjedhën dialoguese të kuptimit.

“Shpesh, kur themi “Të dua”, ne fokusohemi kryesisht në idenë se “unë” jam duke dashur, dhe më pak tek cilësia e dashurisë që po ofrohet. Kjo sepse ne jemi të kapur pas idesë së vetes. Ne mendojmë se ka një vetë. Por një gjë e tillë nuk ka kuptim. Një lule përbëhet nga elementë jo-lule, si klorofili, drita e diellit dhe uji. Nëse do i hiqnim elementët jo-lule, atëherë nuk do kishim më një lule. Një lule nuk mund të jetë vetëm me veten, por mund të ekzistojë bashkë me ne…
Kështu janë edhe njerëzit. Ne nuk mund të ekzistojmë vetëm. Unë përbëhem nga elemente jo-unë si toka, dielli, prindërit dhe paraardhësit.
Në marrëdhënien tuaj, nëse mund ta kuptoni natyrën e ndërveprimit midis jush dhe personit tjetër, ju do shihni se dhimbja e tyre është dhimbja juaj dhe lumturia e tyre është lumturia juaj. Me këtë këndvështrim, ju flisni dhe veproni ndryshe. Kjo në vetvete mund ta lehtësojë shumë vuajtjen. 


Burimi: Brain Pickings

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s